Skip to content
Kryesore

“Kemi vendosur bombë, do shpërthejë për 2 orë”/ Kërcënohen SPAK, GJKKO dhe institucione në disa qytete, Antiterrori zbarkon me qen

· 2 min lexim

Një alarm për bombë ka vënë në lëvizje Policinë dhe strukturat e Antiterrorit, pasi një email me përmbajtje kërcënuese është dërguar në disa institucione në Tiranë, Vlorë, Fier dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Mes institucioneve të kërcënuara janë edhe SPAK dhe GJKKO.

Në mesazhin e dërguar përmes një adrese të huaj emaili pretendohet se në ambientet e institucioneve janë vendosur lëndë plasëse, të cilat do të shpërthejnë brenda dy orësh. “Kujdes, kemi vendosur bombë”, thuhet në paralajmërimin e dërguar.

Pas marrjes së kërcënimit, efektivë të Antiterrorit kanë mbërritur në ambientet e SPAK dhe GJKKO, të pajisur me mjete të posaçme dhe të shoqëruar nga qen të specializuar për zbulimin e eksplozivëve. Aktualisht po kryhen verifikimet e nevojshme për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një kërcënim real apo një alarm të rremë.

Alarmi ka mbërritur rreth orës 08:00 edhe në disa institucione në Vlorë, Fier dhe qytete të tjera. Në Vlorë, mes institucioneve që kanë marrë mesazhin kërcënues janë Gjykata, Bashkia, Prokuroria dhe Spitali, si edhe institucione të tjera.

Njësia Speciale Operacionale e Policisë së Vlorës ka kryer kontrolle të imtësishme në ambientet e institucioneve, përfshirë verifikimet për praninë e lëndëve apo pajisjeve shpërthyese. Pas përfundimit të kontrolleve, nuk është konstatuar asnjë bombë apo objekt i dyshimtë dhe Policia ka verifikuar se në këto institucione bëhej fjalë për një alarm të rremë.

Ndërkohë, burime nga Policia e Fierit bëjnë me dije se, si masë sigurie, patrulla policie janë vendosur pranë të gjitha institucioneve në qarkun Fier, ndërsa shërbimet policore vijojnë monitorimin e situatës në terren.

Autoritetet po vijojnë kontrollet dhe verifikimet, ndërsa kanë nisur hetimet për të identifikuar autorin që ka dërguar mesazhet kërcënuese.