Skip to content
Kryesore

“Karakatinë”, thotë Rama për monumentin e kulturës/ 13 vjet në pushtet, kush e la Muzeun Labëria të degradohej? Në skenë sërish AADF-ja e Butrintit

· 7 min lexim

Kryeministri Edi Rama e ka quajtur “një karakatinë të degraduar totalisht” Muzeun Etnografik të Vlorës, ose Muzeun “Labëria”, teksa sulmoi me një gjuhë të pazakontë protestuesit që kundërshtuan punimet pranë godinës historike. Por përtej përplasjes politike dhe fyerjeve ndaj Bujar Leskajt, vetë fjalët e Kryeministrit ngrenë një pyetje që qeveria nuk mund ta shmangë: nëse ky monument kulture është sot “karakatinë e degraduar totalisht”, kush e la të arrinte në këtë gjendje?

Sepse nuk është një godinë pa histori dhe as një objekt i zbuluar dje. Sipas vetë Bashkisë së Vlorës, godina është ndërtuar në mesin e shekullit XIX dhe është monument kulture. Pikërisht aty, në vitin 1908, u krijua Klubi Patriotik “Labëria”, me president nderi Ismail Qemal Vlorën, ndërsa një vit më vonë, më 1909, u hap shkolla e parë në gjuhën shqipe për vajzat e qytetit, e drejtuar nga Marigo Posio. 

Megjithatë, Kryeministri i Shqipërisë zgjedh sot ta përshkruajë këtë godinë me termin “karakatinë”.

Reagimi i plotë i Ramës ishte:

“Një grup delenxhinjsh me në krye Lesko pijaniku kanë mësyrë sot në kantierin e Muzeut Hebraik të Vlorës – një gur themeli i kujtesës historike të qytetit të Pavarësisë e të lavdisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore – me pretendimin pervers dhe shpifarak se medemek po u shkatërroka Muzeu Labëria ose ndryshe Muzeu Etnografik.

Çeta e Lesko Pijanikut e ka zakon këtë ritual sulmesh mbi kantieret e transformimit epokal të Vlorës, por populli vlonjat duhet ta dijë që me kërkesën time, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka akorduar 200 mijë USD për hartimin e projektit të Rilindjes së Muzeut Labëria, një karakatinë e degraduar totalisht që do të kthehet krahas Muzeut Hebraik në një tjetër derë të hapur krenarie të Vlorës patriotike e turistike.

Dhe Lesko Pijaniku do vrapojë tek kantieret e radhës, njësoj siç vrapon përnatë pas kecave e pulave që shoqërojnë rrëketë e rakisë në gurmazin e pangopur të tij.”

Pra, përtej etiketimit të protestuesve si “delenxhinj”, sulmeve ndaj Leskajt dhe gjuhës për “kecat”, “pulat” e “rrëketë e rakisë”, mbetet fjalia që kërkon përgjigje politike: “një karakatinë e degraduar totalisht”.

Edi Rama nuk është një kryeministër që sapo ka marrë detyrën dhe ka trashëguar dje këtë situatë. Më 15 shtator 2013 ai drejtonte mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave si Kryeministër. Më 12 shtator 2026, kur bën këtë deklaratë, kanë kaluar vetëm tri ditë më pak se 13 vjet nga ajo datë.  Madje, hyrja e tij në ekzekutiv shumë vite më parë nisi pikërisht në fushën e kulturës: në vitin 1998 Rama u bë ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. 

Natyrisht, Muzeu Etnografik është pronë e Bashkisë Vlorë dhe kjo e fundit ka përgjegjësitë e veta. Edhe ministri Blendi Gonxhja ka sqaruar se godina do të mbetet në pronësi të Bashkisë dhe do të menaxhohet në bashkëpunim me Ministrinë.  Por pikërisht këtu argumenti i Ramës bëhet edhe më problematik: pas thuajse 13 vitesh qeverisjeje, në një sistem ku Ministria e Kulturës, strukturat e trashëgimisë dhe pushteti vendor kanë pasur kohë të mjaftueshme për të ndërhyrë, degradimi nuk mund të paraqitet thjesht si një defekt i godinës që sot justifikon ta quash atë “karakatinë”.

Madje, problemet e muzeut njiheshin publikisht prej vitesh.

Në faqen zyrtare të Bashkisë Vlorë gjendet një përshkrim domethënës për gjendjen e objektit, ku shprehej dëshira që muzeu të mos përmbytej më sa herë binte shi, të kishte ujë të pijshëm, stenda për ruajtjen e veshjeve të vjetra që po dëmtoheshin dhe investime për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. 

Pra institucionet e dinin.

Edhe më e fortë është ajo që rezulton nga një dokument zyrtar i Këshillit Bashkiak të Vlorës. Në procesverbalin e mbledhjes së marsit 2024, gjatë diskutimeve pikërisht për Muzeun Hebraik, u ngrit shqetësimi se Muzeu Etnografik ishte lënë jashtë rikonstruksionit.

Këshilltari Atird Hoxha deklaronte në atë mbledhje:

“Është e pafalshme që Muzeu Etnografik, të ngelet jashtë rikonstruksionit. Janë sende me vlerë historike të jashtëzakonshme, që rrinë në atë gjendje.”

Dokumenti është i Bashkisë Vlorë dhe mban datën 13 mars 2024. 

Pra, të paktën dy vjet e gjysmë përpara deklaratës së sotme të Ramës, brenda vetë institucionit që administron pronën po thuhej zyrtarisht se gjendja ishte e papranueshme dhe se muzeu ishte lënë jashtë rikonstruksionit.

Atëherë lind pyetja që fyerjet ndaj protestuesve nuk e zgjidhin: nëse ishte e degraduar, pse u la e degraduar? Nëse ishte “karakatinë”, kush e lejoi një monument kulture me këtë histori të shndërrohej në atë që Kryeministri sot quan “karakatinë”?

Dhe ka edhe një element tjetër që Rama vetë e fut në histori: AADF-në.

Kryeministri thotë se “me kërkesën time, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka akorduar 200 mijë USD për hartimin e projektit të Rilindjes së Muzeut Labëria”. Pra, pas vitesh degradimi të njohur, zgjidhja prezantohet tani si rezultat i një kërkese personale të Kryeministrit drejtuar Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Bëhet fjalë për të njëjtën AADF që është në qendër të modelit të menaxhimit të Butrintit.

Vetë AADF deklaron se në vitin 2019 hartoi Planin e Integruar të Menaxhimit për Parkun Kombëtar të Butrintit dhe se në vitin 2021, në partneritet me Ministrinë e Kulturës, u krijua Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit. Më 1 nëntor 2024, administrimi i Sitit Antik iu transferua zyrtarisht këtij fondacioni.  AADF deklaron një angazhim financiar prej 5.95 milionë dollarësh për projektin e Butrintit. 

Por lidhja e AADF-së me Vlorën shkon edhe më tej. Fondacioni është partner i projektit të Muzeut Hebraik Shqiptar, për të cilin deklaron aktualisht një angazhim prej 6.5 milionë dollarësh.  Në vitin 2021, AADF kishte nënshkruar me Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë Vlorë Memorandumin e Mirëkuptimit për këtë muze.  Ndërsa projekti TID Vlora i AADF-së, me angazhim financiar prej 5.05 milionë dollarësh, përfshin në zonën e tij edhe Muzeun Etnografik dhe një sërë asetesh të tjera të trashëgimisë së qytetit. 

Kjo nuk do të thotë se AADF është juridikisht e njëjta strukturë me Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit. Nuk është. Por është pikërisht AADF ajo që, së bashku me shtetin shqiptar, ngriti modelin e ri të administrimit të Butrintit dhe që tashmë ka një rol të gjerë në projektet e trashëgimisë kulturore edhe në Vlorë. 

Kështu që debati nuk mund të mbyllet me “Lesko pijaniku” dhe “delenxhinjtë”.

As sqarimi se Muzeu Hebraik ndërtohet në objektin ngjitur dhe se Muzeu Etnografik nuk do të tjetërsohet — sqarim që është dhënë edhe nga ministri Gonxhja — nuk e zhduk çështjen tjetër.  Çështja këtu është ajo që Rama e pranon me gojën e vet: një monument kulture me peshë të veçantë historike është sot, sipas tij, “i degraduar totalisht”.

Në vend që kjo të përdoret si argument për të zhvlerësuar godinën, duhet të jetë pikënisja për llogaridhënie.

Sepse kur një qytetar e gjen një muze të degraduar mund të pyesë shtetin se çfarë ka bërë. Kur Kryeministri që drejton vendin prej thuajse 13 vitesh e gjen po atë muze të degraduar, nuk mjafton të thotë se tani ka siguruar 200 mijë dollarë nga një fondacion për projektin e tij.

Duhet të shpjegojë edhe si u lejua që një monument kulture, një godinë ku u themelua Klubi “Labëria” dhe ku u hap shkolla e parë shqipe për vajzat e Vlorës, të arrinte në gjendjen që vetë Kryeministri sot e përkufizon me një fjalë: “karakatinë”.