Jeta shtrenjtohet sërish/ Inflacioni në 3.4%, ushqimet dhe qiratë rëndojnë familjet shqiptare

Kostoja e jetesës në Shqipëri vijon të rritet. Inflacioni arriti në 3.4% në korrik, nga 3.2% një muaj më parë, duke shënuar nivelin më të lartë që prej janarit 2024.
Sipas të dhënave të INSTAT, rritja e çmimeve po ushqehet kryesisht nga disa prej shpenzimeve më të domosdoshme për familjet: ushqimet, qiratë dhe karburantet.
Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” dha ndikimin më të madh në inflacion, me +1.18 pikë përqindje, ndërsa “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” kontribuoi me +0.83 pikë. Transporti shtoi edhe 0.52 pikë përqindje.
Krahasuar me korrikun 2025, rritjen më të fortë të çmimeve e regjistroi transporti me 8%, pasuar nga argëtimi, sporti dhe kultura me 6%, sigurimet dhe shërbimet financiare me 4.5%, qiratë, uji, energjia dhe karburantet me 4.1%, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike u shtrenjtuan me 3.5%.
Me nivelin 3.4%, inflacioni qëndron për të dytin muaj radhazi mbi objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, në mbledhjen e fundit, institucioni vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%.
Guvernatori Gent Sejko deklaroi se Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të qëndrojë lehtësisht mbi objektiv në afatin e shkurtër dhe më pas të rikthehet gradualisht drejt tij. Sipas tij, rritja e inflacionit bazë dhe presioneve të brendshme po ndikohet kryesisht nga shtrenjtimi i qirave.
Situata bëhet veçanërisht e rëndë në Tiranë, ku kostot e strehimit kanë arritur nivele të larta në raport me pagat. Në periudhën janar-qershor 2026, qiraja mesatare për një apartament 1+1 arriti në 590 euro në muaj, ndërsa për një 2+1 në 954 euro, me rritje nga 4.4% deri në 27% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Sipas llogaritjeve të “Monitor”, kufiri i përballueshmërisë së qirasë tejkalohet në 13 zona të Tiranës. Në disa prej tyre, strehimi përpin 80-90% të të ardhurave mujore, ndërsa në raste të caktuara kostoja kalon edhe 100% të tyre.
Në standardet ndërkombëtare, një qira mbi 30% të të ardhurave konsiderohet e papërballueshme, ndërsa mbi 50% sinjalizon një barrë ekstreme të kostos së strehimit.