Skip to content
Kryesore

“Ishte mbyllur në vetvete”/ Zhdukja e të miturit në Korçë, flet nëna e 16-vjeçarit

· 3 min lexim

Në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24, u trajtua historia e zhdukjes së 16-vjeçarit Anxhelo Abidini nga Korça.

I riu është larguar nga banesa më 2 prill dhe nuk është kthyer më, ndërsa prindërit e tij ishin të ftuar në studio për të kërkuar ndihmë dhe për të bërë një apel publik.

Nëna e të miturit tregoi se djali i saj ishte përfshirë më parë në një episod penal dhe kishte pasur kontakte me policinë, pasi ishte dënuar me shërbim prove për një vjedhje të kryer bashkë me një 30-vjeçar.

“Ka qenë data 2 prill dhe ora 14:00 kur ai ishte larguar nga banesa. Ai ka humbur edhe një herë tjetër në muajin dhjetor për 5 ditë. Anxhelo u kthye në shtëpi dhe kishte qëndruar tek stolat e qytetit. Ai më tha se kishte qëndruar me personat që i binin daulles dhe ishte ushqyer me ata”, tregoi ajo.

Sipas prindërve, Anxhelo ishte një nxënës i rregullt dhe i sjellshëm në shkollë, por pas përfshirjes në vjedhje, duket se kishte ndryshuar sjellje dhe ishte më i mbyllur në vetvete.

“Unë nuk e besoj se ai ka thënë të vërtetën. Arsyeja e largimit herën e parë mund të ketë qenë edhe paraqitja e tij, ose mund të jetë sepse ai paraqitej në polici çdo 10 ditë. Anxhelo u përfshi në një vjedhje të një celulari dhe sipas asaj që më tha djali, ai e kishte takuar 30-vjeçarin rastësisht duke luajtur futboll. Ai i kishte kërkuar që të merrnin një gur dhe të thyenin xhamin e një dyqani dhe kishin marrë 7 celularë dhe Anxhelos i gjetën vetëm 1 celular”, tha nëna e tij.

Ajo shtoi se ndonëse i riu ishte ndëshkuar me shërbim prove dhe kishte qëndrim korrekt, mund të ketë ndjerë frikë nga përballja me policinë apo drejtësinë, ndaj edhe është larguar sërish.

“Anxhelo u dënua nga Gjykata me shërbim prove. Ai kishte një sjellje shembullore në shkollë. Pas tre ditëve që ishte larguar Anxhelo, bëra denoncimin në komisariatin e Korçës dhe Tiranës dhe disa persona më lajmëruan se mund të ishte në Tiranë. Unë dyshoj se ai po i shmanget drejtësisë dhe për shkak të dokumenteve. Ai gjithashtu ishte i mbyllur në vetvete”, përfundoi ajo me lot në sy.

Familja apelon për çdo informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e 16-vjeçarit dhe bën thirrje për ndërhyrje të institucioneve përkatëse për zbardhjen e rastit.