Skip to content
Kryesore

Ia kanë “pirë lëngun” SPAK-ut/ Fusha i pandehur për korrupsion, Agolli i FSHZH vijon favoret: Skualifikon 5 oferta më të lira dhe i jep 6.5 MLD lekë tender për bregun e Durrësit

· 3 min lexim

As SPAK-u, as marrja si i pandehur për korrupsion dhe as masa e sigurisë nuk duket se i prishin punë Shkëlqim Fushës kur bëhet fjalë për kontratat me shtetin. Kompania “Fusha” vijon të marrë tenderë publikë me miliarda lekë, ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i drejtuar nga Dritan Agolli, i ka dhënë një tjetër kontratë të majme për bregdetin e Durrësit.

Bëhet fjalë për tenderin me fond limit rreth 8.8 milionë euro për rregullimin, përmirësimin estetik dhe zhvillimin e zonave tregtare e turistike përgjatë bregdetit të Durrësit. Projekti do të zgjasë 18 muaj dhe do të zbatohet nga kompania “Fusha”, në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe Bashkinë e Durrësit.

Por mënyra se si është përcaktuar fituesi ngre pikëpyetje të forta mbi konkurrencën dhe përdorimin e parave publike.

Në tender morën pjesë tetë kompani. FSHZH skualifikoi pesë prej tyre dhe në fund shpalli fituese “Fushën”, me një ofertë prej mbi 6.5 miliardë lekësh. Problemi është se të pesta kompanitë e nxjerra jashtë garës kishin paraqitur oferta më të ulëta se kompania që mori kontratën.

Pra, pesë oferta më ekonomike për fondet publike u eliminuan dhe kontrata përfundoi te “Fusha”.

FSHZH e justifikoi skualifikimin me mungesën e “përvojës së suksesshme në punë të ngjashme”. Formalisht ky është argumenti i institucionit, por rezultati i procedurës mbetet i fortë: konkurrentët më të lirë largohen dhe miliona euro përfundojnë te një kompani që prej vitesh është ndër përfitueset e kontratave publike.

E rëndësishme është edhe koha kur ndodh gjithçka.

Pronari i kompanisë, Shkëlqim Fusha, është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK për “korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, në dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa hetimet kanë përfshirë transaksione financiare dhe kamuflim të dyshuar përfitimesh përmes OJF-ve të lidhura me bashkëshorten e kryebashkiakut.

Megjithatë, në marrëdhënien me paratë publike duket sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Fusha vazhdon aktivitetin, kontratat vazhdojnë dhe FSHZH nuk stepet t’i japë kompanisë së tij një tjetër tender me miliarda lekë, madje pas një procedure ku pesë konkurrentë me oferta më të ulëta janë skualifikuar.

Pikërisht këtu lind pyetja se çfarë efekti real kanë hetimet e SPAK-ut, kur një biznesmen i marrë i pandehur për korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të lartë vijon të përfitojë kontrata të mëdha nga institucionet shtetërore sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Nëse SPAK-u supozohet të godasë lidhjet e dyshuara korruptive mes biznesit dhe pushtetit, rasti i fundit krijon një paradoks të fortë: nga njëra anë Shkëlqim Fusha merret i pandehur për korrupsion, ndërsa nga ana tjetër një institucion shtetëror i jep kompanisë së tij miliarda lekë, pasi nxjerr jashtë gare pesë oferta më të lira.

Dhe Dritan Agolli me FSHZH-në vazhdojnë përpara, pa u stepur nga hija e SPAK-ut që tashmë rëndon mbi pronarin e kompanisë fituese.

Në fund, shifrat dhe procedura flasin vetë: pesë oferta më të ulëta skualifikohen, mbi 6.5 miliardë lekë shkojnë te “Fusha” dhe pronari i saj, ndërkohë, është i pandehur për korrupsion aktiv. Një panoramë që ngre një pyetje edhe më të fortë: SPAK-un e kanë aq “në xhep” sa tenderët dhe favoret me miliarda vazhdojnë si gjithmonë?