Skip to content
Të Gjitha

I qëlloi me kazmë babait të tij, i riu nga Ndroqi tenton të vrasë 45-vjeçarin

· 2 min lexim

Policia ka parandaluar përshkallëzimin e një krimi në zonën e Ndroqit.

Një shtetas me iniciale D.N., ka goditur me kazmë E.D., i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Më pas djali i këtij të fundit ka marrë çiften, të cilën e kishte me leje dhe ka tentuar të qëllojë autorin e plagosjes së babait të tij.

Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka bllokuar armën e gjahut.

Gjithashtu i janë vënë prangat shtetasve D.N. 45 vjeç dhe K.D., 27 vjeç.

Njoftimi i policisë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 parandalojnë një ngjarje të rëndë kriminale për motive pronësie.

Marrja në kohë e informacionit dhe ndërhyrja me profesionalizëm e forcave të Policisë të Komisariatit Nr. 6 parandaluan përshkallëzimin e një konflikti mes disa shtetasve.

Arrestohen në flagrancë dy shtetas, si dhe bllokohet arma e gjahut me fishekë, të cilën njëri nga shtetasit e posedonte me leje. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, pas marrjes së informacionit se në Fshatin Shesh, Ndroq po ndodhte një konflikt i ashpër midis disa shtetasve, organizuan menjëherë punën dhe me veprimet e shpejta dhe profesionale bënë të mundur parandalimin e mëtejshëm të këtij konflikti duke arrestuar në flagrancë shtetasit:

– D. N., 45 vjeç, banues në fshatin Shesh, Ndroq.

– K. D., 27 vjeç, banues në fshatin Shesh, Ndroq.

Arrestimi në flagrancë i shtetasve të sipërpërmendur u bë pasi, në fshatin Shesh, Ndroq, shtetasi D. N. për motive pronësie ka goditur me mjet të fortë (kazmë) shtetasin E. D, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Konflikti midis shtetasve ka agravuar më tej nga djali i shtetasit të dëmtuar, i cili ka marrë një armë gjahu të mbushur me fishekë, të cilën e posedonte me leje dhe ka tentuar të qëllojë shtetasin D. N., në banesën e tij, por nuk mundi dot falë veprimeve të shpejta të Policisë. Gjithashtu, falë veprimeve të shpejta është bërë i mundur edhe bllokimi i armës së gjahut me fishekë, me të cilën ky shtetas dyshohet se do kryente krimin. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, në ngarkim të D. N dhe “Vrasje e mbetur në tentativë”, në ngarkim të shtetasit K. D.