Skip to content
Kronikë

I preu këmbën 23-vjeçares, lirohet nga burgu Jehon Breçani (detaje)

· 2 min lexim

Një ngjarje e rëndë ndodhi para pak ditësh në Tiranë, ku 19-vjeçari Jehon Breçani, djali i ish-numrit 2 të Policisë së Shtetit Erzen Breçani, përplasi këmbësoren 23-vjeçare Xhesina Gega.

Ajo po qëndronte në trotuar kur papritur 19- vjeçari e ka përplasur me makinën e tij me të cilën po ecte me shpejtësi “vrastare”. Për pasojë vajza mori dëmtime të rënda dhe mjekët u detyruan t’i presin njërën këmbë.

I riu u arrestua nga policia, por kur nuk kanë kaluar veçse pak ditë, mësohet se Gjykata ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj tij nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Sipas tyre, shkak për këtë ndyshim të masës së sigurisë është bërë fakti se 19-vjeçari ka pësuar dëmtime nga përplasja e fortë.

“Ka pësuar dëmtime vetë në mushkëri gjatë aksidentit. Ka qenë e nevojshme ndërhyrja mjekësore. Prandaj është ndryshuar masa e sigurisë sepse Spitali i Burgut nuk i ka garantuar trajtim mjekësor. Familja Breçani ka sjellë njerëz nga fisi i vet nga Tropoja për të dhënë gjak për 23-vjeçaren e aksidentuar”, thotë gazetari i njohur Artan Hoxha.

Aksidenti ndodhi me date 10 qershor. Jehon Breçani ka humbur kontrollin e makinës dhe është përplasur fillimisht me murin,  më pas me një pemë që e ka thyer dhe më pas ka goditur 23-vjeçaren që ndodhej në trotuar.

Shoferi i Benz-it, me targa AA 888 XX është shoqëruar në ambientet e Komisariatit nr.4, për veprime të metejshme hetimore. Burime nga policia bëjnë me dije se i riu i është nënshtuar testit të alkoolit, por nuk rezultoi të ishte nën efektin e pijeve alkoolike. Dyshohet se kur është aksidentuar ka qenë me shpejtësi të lartë. Aksidenti i rëndë ndodhi në rrugën  “Xhanfize Keko”.