Skip to content
Bota

I dënuar 50 herë, shqiptari fiton betejën të qëndrojë në Britani

· 2 min lexim

Zenel Beshi, një shtetas shqiptar me afro 50 dënime penale, ka fituar të drejtën për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht se në të kaluarën ka vuajtur një dënim gjashtëvjeçar në Itali për grabitje, vjedhje dhe privim të paligjshëm nga liria.

Beshi, i konsideruar me precedentë të shpeshtë dhe të rëndë penalë, nuk i kishte deklaruar dënimet kur hyri në Britani në vitin 2020.

Megjithatë, një gjykatë e lartë e imigracionit, e drejtuar nga gjyqtarja Leonie Hirst, vendosi se veprat e tij nuk përbënin një rrezik “ekstrem” për shoqërinë britanike dhe nuk shkaktonin “neveri të thellë publike”. Si rrjedhojë, atij iu njoh e drejta për të qëndruar në vend, raportoi “The Telegraph”.

Ky vendim ka shkaktuar reagime të forta, veçanërisht nga opozita britanike. Chris Philp, përfaqësues i Partisë Konservatore, kritikoi ashpër gjykatën, duke deklaruar se “është koha që gjyqtarët të mbrojnë qytetarët e ndershëm britanikë, jo kriminelët e huaj”.

Ai premtoi se nëse partia e tij kthehet në pushtet, do të ndryshojë ligjin për të dëbuar automatikisht të huajt me rekorde penale.

Beshi kishte aplikuar për leje qëndrimi si bashkëshort i një shtetaseje të Bashkimit Europian, por kërkesa e tij u refuzua fillimisht nga Home Office, me arsyetimin se përbënte një rrezik për publikun.

Megjithatë, një raport psikologjik e klasifikoi atë si “me rrezik të ulët” për përsëritje të veprave penale.

Ndërkohë, Home Office ka bërë të ditur se nuk është dakord me vendimin dhe po shqyrton mundësinë e apelimit.