Skip to content
Kryesore

Horrori në Greqi/ 41-vjeçari shqiptar abuzonte me vajzën 9-vjeçare të partneres: Mos trego se do të të vras familjarët

· 2 min lexim

Një ngjarje e rëndë është zbuluar në Greqi, ku një 41-vjeçar shqiptar është arrestuar pasi akuzohet se ka abuzuar seksualisht me vajzën e mitur të partneres së tij.

Mediat greke raportojnë se bëhet fjalë për vajzën që partnerja e tij kishte nga martesa e parë. Sipas hetimeve, episodet e dyshuara kanë nisur gjatë verës së vitit 2023, kur nëna e së miturës, e cila ishte shtatzënë në atë periudhë, u kthye përkohësisht në Shqipëri dhe e la vajzën në kujdesin e bashkëshortit.

Sipas aktakuzës, abuzimet e dyshuara nuk përfunduan me kaq, por vijuan edhe pas rikthimit të nënës, duke vazhduar deri në pranverën e vitit 2025. Prokuroria pretendon se 41-vjeçari e detyronte të miturën të flinte në të njëjtin shtrat me të dhe më pas e abuzonte seksualisht.

Një nga elementët më të rëndë të çështjes janë kërcënimet që, sipas dosjes hetimore, i pandehuri i bënte vazhdimisht vajzës për ta mbajtur në heshtje. E mitura ka deklaruar se jetonte në frikë, pasi i thuhej se familjarët e saj do të pësonin pasoja nëse ajo tregonte çfarë po ndodhte.

Në dëshminë e saj, vajza ka pohuar se kërcënimet kishin në shënjestër gjyshen nga ana e babait dhe xhaxhain, çka bëri që për një kohë të gjatë të mos ia rrëfente askujt ngjarjen, as nënës së saj.

Rasti u zbulua pas informacioneve të marra nga persona të tretë, të cilat çuan në nisjen e hetimeve nga autoritetet greke dhe ngritjen e akuzave ndaj 41-vjeçarit.

Ai pritet të dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku do të përballet me akuzat për përdhunim të përsëritur të një të miture dhe abuzim seksual ndaj një fëmije nën moshën 14 vjeç. Çështja mbetet në shqyrtim nga drejtësia dhe akuzat nuk janë gjykuar ende.