Skip to content
Aktualitet

Hetohet Vladimir Mara, KPK konfirmon në detyrë prokurorin e dosjes “339”

· 1 min lexim

Prokurori i Krimeve të Rënda, Vladimir Mara është konfirmuar në detyrë nga KPK. I njohur si prokurori i dosjes 339 Vladimir Mara u hetua përsa i përket pasurisë që ai zotëron, aftësisë profesionale dhe ka rezultuar se mbi prokurorin nuk është konstatuar asnjë shkelje.

Trupa e cila gjykoi prokurorin Mara përbëhet nga Pamela Qirko, Firdes Shuli, Alma Faskaj. Vladimir Mara është një nga 25 aplikantët për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK).

Prokurori Mara është njëri nga prokurorët që po heton dosjen 339, e cila pritet që të hedhë dritë në lidhje me personat e implikuar në krimin e organizuar në procesin zgjedhor. Mara po ashtu është prokurori i dosjes së ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Emri i Marës është përmendur disa herë në media për disa lidhje me politikën shqiptare, por nuk ka pasur asgjë konkrete.

Në një aksion të policisë në tetor të viti 2017, ku u zbulua një sasi lëndësh narkotike, në media u tha se prokurori Mara ka qenë në vendngjarje me Policinë e Shtetit dhe se mund të kishte dekonspiruar aksionin. Vetë Mara e mohoi këtë gjë, duke dhënë edhe arsyen se përse një gjë e tillë nuk kishte qenë e vërtetë.