Skip to content
Kosovë

Helmimi masiv në Deçan/ Nisin arrestimet në Kosovë, i vihen prangat zyrtarit

· 2 min lexim

Policia e Kosovës ka vënë në pranga një zyrtar të Agjencisë Kosovare të Pyjeve me qendër  në Deçan, i cili dyshohet se ka shpërdoruar detyrën. Dyshohet se zyrtari është arrestuar për rastin e helmimit të rreth 1.500 qytetarëve në fshatrat e komunës së Deçanit.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

“Po është ndaluar një zyrtar i AKP-së pranë MPMHI-së me seli në Deçan për keqpërdorim të detyrës zyrtare, përderisa ishte në kryerje të detyrës zyrtare në cilësinë e pylltarit në laurën ‘Gryka e Deçanit. Hetimet janë duke u zhvilluar për të parë se a ka ky rast ndonjë lidhshmëri me çështjen e ujit në komunën e Deçanit”, ka thënë Shkodran Nikçi .

Gjithashtu kujtojmë se më herët,  Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (ISHPK) ka njoftuar se pas analizave të kryera janë identifikuar disa baktere që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm.

Në komunikatën e IKSHPK, thuhej se “në mostrat e ujit të marra me datën 12. 07. 2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes teknikës së identifikimit me MALDI-ToF në laboratorët e IKShPK Prishtinë, janë identifikuar disa baktere që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm”.