Haga rrëzon garancinë 50 mijë euro për Hashim Thaçin, ish-presidenti mbetet në paraburgim edhe dy muaj

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk do të lirohet nga paraburgimi në Hagë. Gjyqtari Christopher Gosnell ka rrëzuar kërkesën e tij për lirim me kusht, pavarësisht garancisë financiare prej 50 mijë eurosh të ofruar nga familjarët dhe miqtë, duke vendosur zgjatjen e masës së paraburgimit edhe për dy muaj.
Në kërkesën e tij, Thaçi ishte zotuar se do të respektonte çdo kusht të vendosur nga gjykata për të garantuar mbarëvajtjen e procesit gjyqësor. Megjithatë, trupi gjykues vlerësoi se garancia financiare nuk ishte e mjaftueshme.
“Siguria financiare prej 50,000€ e ofruar nga familja dhe miqtë, subjekt i sekuestrimit në rast të dështimit të pjesëmarrjes në seanca, e minon edhe më një rrezik të tillë (rrezikun e arratisjes)”, thuhet në arsyetimin e gjyqtarit Christopher Gosnell.
Hashim Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, vijojnë të mbahen në paraburgim në Hagë, ku përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.
Procesi ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së ka nisur në prill 2023. Në seancën e zhvilluar në shkurt të këtij viti, ata dolën për herë të tretë para gjykatës dhe deklaruan se nuk ndihen fajtorë për akuzat.