Skip to content
Kryesore

Gramsh/ Evakuohen banorët në 9 fshatra, luftë me zjarret nga toka e nga ajri!

· 2 min lexim

Autoritetet e Emergjencave Civile kanë nisur evakuimin masiv të banorëve në pesë fshatra të tjerë në zonën e Gramshit, të prekur nga zjarret që përhapen me shpejtësi dhe rrezikojnë jetën e banorëve. Me këtë veprim, numri i fshatrave të evakuar arrin në total në nëntë.

Banorët janë larguar nga shtëpitë në fshatrat: Harunas, Snos, Sojnik, Ermenj, ndërsa evakuimi po vazhdon edhe në Nartë. Prefekti i Elbasanit, Ilir Bejtja, konfirmoi se po vijon aksioni i shpëtimit për të mbrojtur jetën e njerëzve në rrezik.

Zjarri ka përfshirë zona me pyje pishash dhe ullinj. Deri tani nuk ka raportime për të lënduar të tjerë, përveç një viktimë të moshuar, rreth 80 vjeç, e cila humbi jetën si pasojë e asfiksisë nga tymi.

Viktima u regjistrua në fshatin Kullollas, ku policia njofton se zjarri nisi nga ndezja e kontrolluar e një zjarri në kopshtin e banesës së tij, që fatkeqësisht mori përmasa të mëdha dhe u përhap në zonën përreth.

Në terren janë të angazhuara forca nga Ministria e Mbrojtjes, Mbrojtja Civile, Policia e Shtetit dhe banorë vullnetarë, ndërsa përforcimet vijojnë edhe nga ajri me përdorimin e helikopterëve. Situata mbetet e vështirë, pasi më shumë se pesë fshatra janë nën kërcënimin e flakëve.

Operacioni për menaxhimin e situatës po ndiqet nga afër nga ministrat e Mbrojtjes dhe të Brendshëm, së bashku me autoritetet lokale dhe prefekturën.

Fshatrat e evakuar deri në orën 16:00 janë:
• Kullollas
• Bletëz
• Menkollar
• Shimër
• Harunas
• Snos
• Sojnik
• Ermenj
• Nartë