Skip to content
Politikë

Grabitet selia qendrore e PL/ Reagon ashpër Petrit Vasili: Ngjarje mafioze

· 2 min lexim

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur sot në kryeqytet. Selia qendrore e Partisë së Lirisë është grabitur nga disa persona ende të paidentifikuar.

Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili  i cili përmes Facebook-ut ka njoftuar se disa persona të të paautorizuar kanë hyrë në selinë e kësaj partie dhe kanë grabitur rrjetin e komunikimeve elektronike, një paisje DVR (hard disc) si dhe në mënyrë të fshehtë kanë kryer lidhje, dëmtime dhe këputje të linjave kabllore.

Vasili e ka quajtur presion politik për PL-në, por sipas tij këtë subjekt nuk do e ndalë asgjë në betejën politike për përmbysjen e Rilindjes.

Mësohet se kreu i PL-së, Ilir Meta ka bërë denoncim në polici në lidhje me rastin.

Postimi i plotë:

Partia e Lirisë është përballur me  një ngjarje të tipit mafioz, karakteristike e “Rilindjes”, që kërkon të Qeverisë vetëm përmes shantazhit dhe presionit.

Në zyrat e saj kanë hyrë në mesnatë persona të paidentifikuar dhe të paautorizuar duke grabitur rrjetin e komunikimeve elektronike, një paisje DVR (hard disc) si dhe në mënyrë të fshehtë kanë kryer lidhje, dëmtime dhe këputje të linjave kabllore.

Partia e Lirisë në respekt të ligjit ka depozituar denoncimin e kësaj  ngjarjeje në Prokurorinë e Tiranës për hetimin dhe identifikimin e autorëve.

As kjo tentativë dhe asnjë presion nuk e ul dot ritmin dhe vendosmërinë e Partisë së Lirisë për t’u përballur me “Rilindjen” dhe mashat e saj, por përkundrazi shumëfishon energjitë e saj në betejën për përmbysjen e narkoqeverisjes rilindase.