Skip to content
Kryesore

Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e GJKKO për gazetarin Qyno

· 2 min lexim

Gjykata e Apelit të Posaçëm vendosi sot që të miratojë vendimin e Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e pajisjeve elektronike të gazetarit Elton Qyno.

Qyno është ndaluar nga SPAK pasi është akuzuar për nxjerrjen e sekreteve hetimore që po zhvillon kjo strukturë gjyqësore.

SPAK kishte kufizuar edhe më herët fjalën e tij dhe kishte kërcënuar me burg, dhe ky ndalim i fundit tregon vazhdimin e presioneve ndaj gazetarit, të cilit iu mbajtën dhe pajisjet elektronike.

Avokati Dorian Matlija thotë se gjykata ka marrë një vendim në kundërshtim me standardet e vendosura nga Gjykata e Lartë dhe ajo e Strasburgut, ndërsa theksoi se do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me rekurs.

 

KOMUNIKIM PËR MEDIAN:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Daniela Shirka, sot më 06.01.2024, ora 14:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 195 akti, datë 29.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesit E.Q., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 501, datë 13.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për lejim sekuestroje…”, dhe vendosi:

 

  1. Miratimin e vendimit nr. 501, datë 13.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  2. Ndalimin e publikimit të këtij vendimi në referim të nenit 103 të K.Pr.Penale.