Skip to content
Kryesore

GJKKO shtyn seancën ndaj Lefter Kokës, arsyeja

· 2 min lexim

Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën e radhës për çështjen e inceneratorit të Tiranës për shkak të mungesës së një prej avokatëve të mbrojtjes.

Seanca e re do të mbahet më 4 mars në orën 13:30.

Në seancën e fundit, SPAK kërkoi dënimin me 4 vjet burg për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, për shpërdorim detyre lidhur me kontratën e inceneratorit të Tiranës. Ky është dënimi i tretë për të, pas atyre të dhënë për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i kërkuar do të ulet me një të tretën, dhe gjithashtu kërkohet përjashtimi 5 vjet nga funksionet publike për Koka dhe të bashkëpandehurit e tij, si dhe dënime të tjera për ish-zyrtarët e Mjedisit dhe Bashkisë Tiranë.

Për disa nga të pandehurit, si Valbona Ballgjini dhe Sidita Kopliku, kërkohet dënim dy vjet burg, i cili mund të konvertohet në 4 vjet shërbim prove.

Hetimet kanë zbuluar se ish-zyrtarët kanë ndihmuar shoqërinë “Integrated Energy BV”, të zotëruar nga Klodian Zoto, të fitojë kontratën për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, duke përdorur dokumentacion të dyshimtë dhe duke shkelur ligjin në lidhje me tarifën për mbetje.

Një hetim i veçantë për korrupsion është në proces për ish-sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit, Alqi Bllako, dhe disa ish-zyrtarë të tjerë.