Skip to content
Kryesore

GJKKO shpërfill gazetarët, hyn në fuqi Rregullorja që mbyll dyert e Gjykatës për mediat

· 2 min lexim

Nga kjo e martë hyn në fuqi Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila vendos kufizime të forta ndaj punës së gazetarëve dhe aksesit të medias në seancat gjyqësore.

Kryetari i komanduar i GJKKO-së, Erion Bani, nuk reflektoi mbi kritikat dhe kundërshtimet e ngritura nga gazetarët, shoqatat e medias brenda vendit dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat kanë paralajmëruar se kufizimet cenojnë lirinë dhe të drejtën e informimit dhe e kanë cilësuar këtë si “një ndër regjimet më kufizuese”.

Rregullorja u hartua dhe miratua pa konsultim paraprak me përfaqësuesit e medias apo Dhomën e Avokatisë. Këshillit të Lartë Gjyqësor iu dërgua për mendim vetëm pas miratimit, ndërsa ajo prek edhe Apelin e Posaçëm, me të cilin GJKKO ndan të njëjtat ambiente.

Një ditë para hyrjes në fuqi, GJKKO publikoi edhe një “material informues”, ku pretendon se seancat publike mbeten të hapura:

“4. A janë seancat gjyqësore të hapura për publikun?
Po. Seancat gjyqësore publike janë të hapura për publikun. Ky i fundit mund të ndjekë seancat publike deri në plotësimin e kapacitetit të sallës, duke respektuar organizimin e saj dhe udhëzimet e personelit të sigurisë.”

Por vetë Rregullorja përcakton një rend përparësie për vendet në sallë: fillimisht subjektet në gjykim, më pas familjarët dhe në fund përfaqësuesit e akredituar të medias. Kur vendet nuk mjaftojnë, gazetarët parashikohet të marrin pjesë me rotacion.

Kufizimet shkojnë edhe më tej. Gazetarëve u ndalohet telefoni celular edhe kur përdoret vetëm për të komunikuar në kohë reale informacionin me redaksinë. Ndalohet gjithashtu përdorimi i magnetofonëve për regjistrimin audio, ndërkohë që Gjykata nuk ua ofron gazetarëve regjistrimin. Edhe përdorimi i kamerave bëhet shumë më i vështirë.

Praktika e deritanishme dhe udhëzimi i KLGJ-së parashikojnë kërkesë me shkrim 24 orë përpara seancës dhe vendimmarrjen e trupës gjykuese. “Kjo pjesë e seancës është e regjistrueshme dhe transmetohet pa asnjë kufizim”, përcakton udhëzimi i KLGJ-së.

Rregullorja e re e GJKKO-së ngre kështu një problem thelbësor ligjor: e drejta për informim garantohet nga Kushtetuta, ndërsa të drejtat dhe liritë kushtetuese mund të kufizohen vetëm me ligj. Një rregullore e brendshme e një gjykate nuk mund të vendoset mbi ligjin dhe Kushtetutën.

Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve të forta të komunitetit të medias, nga sot kufizimet hyjnë në fuqi.