Skip to content
Politikë

GJKKO kalon për gjykim dosjen e dytë të ish-kryebashkiakut të Himarës

· 2 min lexim

GJKKO ka kaluar për gjykim dosjen e dytë ndaj ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, i cili akuzohet për shpërdorim detyre në mënyrë të përsëritur dhe në bashkëpunim.

Sipas njoftimit, GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK për miratimin e akuzës dhe kalimin e çështjes në gjykim, duke u pajtuar gjithashtu edhe me kërkesën e mbrojtjes për gjykim të shkurtuar. Seanca gjyqësore në themel pritet të zhvillohet më 20 maj.

Një muaj më parë, Gjykata e Posaçme shpalli dënimin për Jorgo Goron, duke e dënuar me 3 vite e 1 muaj burg, dhe gjithashtu i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.

Ai u dënua për shpërdorim detyre në dy raste të ndara dhe për mosdeklarim pasurie, ndërsa Gjykata konfiskoi mbi 10 mijë m² tokë që përfitoi ish-deputeti Artan Gaçi, për të cilën ishte planifikuar ndërtimi me statusin e investitorit strategjik.

Arrestimi i Jorgo Goros ndodhi në mars të vitit të kaluar, pas një kallëzimi të depozituar nga Fredi Beleri. Akuzat ndaj tij lidhen me tjetërsimin e një sipërfaqeje toke në fshatin Gjilekë të Dhërmiut, e cila është sekuestruar nga SPAK dhe për të cilën si përfitues i fundit është identifikuar Artan Gaçi.

Për këtë çështje, do të gjykohet gjithashtu ish-kreu i Kadastrës së Vlorës, Bilbil Aliaj, i cili ndodhet nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, si dhe ish-juristi Vezir Gjikoka, që ka masën “arrest shtëpie”.