Skip to content
Kryesore

Gjendet e vdekur ish-e dashura e McGonigal, denoncoi lidhjet e tij me Ramën

· 3 min lexim

Allison Guerriero, ish-e dashura e Charles McGonigal dhe gruaja që u dha autoriteteve amerikane informacione për aktivitetet e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, përfshirë lidhjet dhe takimet e tij me kryeministrin Edi Rama, është gjetur e vdekur në apartamentin e saj në Florida.

Guerriero, 52 vjeç, u gjet e pajetë në banesën e saj në Boynton Beach mbrëmjen e 27 gushtit. Policia mbërriti rreth orës 20:03, ndërsa shkaku i vdekjes nuk është përcaktuar ende dhe pritet konkluzioni i mjekësisë ligjore.

Deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë bërë të ditur se kanë konstatuar shenja që të tregojnë për një veprim kriminal.

Megjithatë, babai i saj, Bill Guerriero, 80 vjeç, ka përjashtuar mundësinë që vajza e tij të ketë vrarë veten.

“Nuk do ta bënte kurrë”, ka deklaruar ai.

Vdekja e saj ka tërhequr vëmendje edhe për shkak të aktivitetit të Guerrieros vetëm pak orë përpara se të gjendej e pajetë. Sipas raportimeve, 52-vjeçarja kishte qenë shumë aktive në platformën X gjatë asaj dite, duke publikuar rreth 75 postime.

Mes tyre ishte edhe një video ku shfaqej duke ecur në Boynton Beach, ndërsa në një prej postimeve kishte shkruar: “E urrej FBI-në”.

Po atë ditë, Guerriero kishte komunikuar edhe me Roger Stone. Ky i fundit ka deklaruar se ajo dukej në humor të mirë dhe po e ndihmonte me disa kërkime.

Sipas raportimeve të “Daily Mail”, Guerriero kishte marrë edhe kërcënime në internet. Babai i saj, megjithatë, ka deklaruar se e bija nuk i kishte thënë se kishte frikë se dikush mund ta dëmtonte.

Shkaku përfundimtar i vdekjes mbetet ende i panjohur dhe pritet të përcaktohet nga autoritetet mjeko-ligjore.

Por emri i Allison Guerrieros ka një peshë të veçantë edhe për Shqipërinë.

Ajo kishte qenë në një lidhje me Charles McGonigal, ish-drejtorin e zyrës së kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, dhe më pas u kishte dhënë autoriteteve amerikane informacione mbi aktivitetet e tij. Mes çështjeve për të cilat kishte folur ishin edhe udhëtimet e McGonigal në Shqipëri dhe marrëdhëniet e tij me kryeministrin Edi Rama.

Guerriero kishte deklaruar se vetë McGonigal i kishte treguar se do të udhëtonte drejt Shqipërisë për t’u takuar me Ramën.

Ai po shkonte në Shqipëri për t’u takuar me kryeministrin Edi Rama’, kishte deklaruar ajo, duke shtuar se nuk i ishte treguar qëllimi i saktë i takimit.

Guerriero kishte deklaruar gjithashtu se McGonigal dhe Rama kishin një marrëdhënie personale dhe se ish-zyrtari i FBI-së fliste shpesh për kryeministrin shqiptar.

Ajo u kishte folur hetuesve amerikanë edhe për udhëtimet e McGonigal në Shqipëri dhe marrëdhëniet e tij me Ramën.

Deklaratat e saj morën një rëndësi të veçantë pas publikimit të aktakuzës amerikane ndaj McGonigal, dokument në të cilin emri i Edi Ramës përmendej në disa pika.

McGonigal, dikur një prej zyrtarëve të lartë të kundërzbulimit të FBI-së, u dënua në SHBA për vepra penale që lidhen me shkeljen e sanksioneve ndaj Rusisë, si edhe për fshehjen e pagesave që kishte marrë nga një ish-punonjës i inteligjencës shqiptare.

Tashmë, vdekja e papritur e Allison Guerrieros rikthen në vëmendje gruan që kishte folur publikisht dhe kishte informuar autoritetet amerikane mbi aktivitetet e ish-zyrtarit të FBI-së. Për momentin, nuk ka një përfundim zyrtar mbi shkakun e vdekjes së saj dhe as prova të bëra publike që ta lidhin atë me denoncimet apo informacionet që Guerriero kishte dhënë për McGonigal.