Gazeta zvicerane: Rama kontrollon bumin e ndërtimeve, “Albanian Files” shihet si aktakuzë ndaj tij

Gazeta zvicerane Tages-Anzeiger i ka kushtuar vëmendje zhvillimeve në Shqipëri, duke u ndalur te projekti në Zvërnec, bumi i ndërtimeve dhe roli që kryeministri Edi Rama luan në zhvillimin e sektorit të pasurive të paluajtshme.
Në artikull, media zvicerane shkruan se Rama nuk mund të konsiderohet i shkëputur nga mënyra se si po transformohet territori, duke e paraqitur atë si një figurë me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet arkitekturore dhe ndërtimore të vendit.
Sipas Tages-Anzeiger, kryeministri “e drejton personalisht bumin e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme në vend”, ndërsa si një prej elementeve që ilustrojnë këtë rol përmendet libri “The Albanian Files”.
Publikimi prej rreth 800 faqesh përmbledh më shumë se 500 projekte ndërtimi të hartuara nga 60 studio ndërkombëtare arkitekture në Shqipëri, ndërsa parathënia është shkruar nga vetë Rama.
Gazeta zvicerane sjell gjithashtu pretendimet e disa arkitektëve, të cilët thonë se janë kontaktuar drejtpërdrejt nga kryeministri përmes WhatsApp-it ose Instagramit për të hartuar projekte në Shqipëri.
Tages-Anzeiger shkruan:
“Në fakt, Rama e drejton personalisht bumin e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme në vend. Kryeministri është i diplomuar për pikturë dhe së fundmi ka ekspozuar edhe në Art Basel. Se si e imagjinon ai të ardhmen arkitekturore të vendit të tij, tregohet në librin “The Albanian Files”. Në rreth 800 faqe prezantohen më shumë se 500 projekte ndërtimi, të hartuara nga 60 studio ndërkombëtare arkitekture në Shqipëri. Parathënien e librit e ka shkruar vetë Rama.
Disa arkitektë pranojnë hapur se janë kontaktuar drejtpërdrejt nga kryeministri përmes WhatsApp-it ose Instagramit, me kërkesën për të hartuar projekte për Shqipërinë – projekte që më pas, sipas pretendimeve, janë realizuar edhe me paratë e mafias së drogës. Sipas aktivistëve dhe gazetarëve të pavarur, në raste të tilla nuk zhvillohen tenderë publikë. Sipas akuzave të tyre, Rama shpesh merr vendime dhe qeveris si një autokrat.
Një arkitekt nga Roterdami e lavdëron këtë liri të pakufishme dhe madje i uron Ramës të qeverisë për gjithë jetën. “The Albanian Files” është botuar nga Lars Müller Publishers në Zyrih. Disa aktivistë në Tiranë e konsiderojnë tashmë librin si një lloj “aktakuze të shkruar kundër Edi Ramës”. Rama i mohon akuzat dhe i cilëson ato si pjesë të një fushate kundër tij dhe Shqipërisë.”
Artikulli i medias zvicerane vendos kështu në qendër jo vetëm projektin në Zvërnec, por edhe modelin më të gjerë të zhvillimit urban dhe ndërtimor në Shqipëri, si dhe përqendrimin e vendimmarrjes te kryeministri.
Në të njëjtën kohë, Tages-Anzeiger pasqyron akuzat e aktivistëve dhe gazetarëve të pavarur për mungesë tenderësh publikë dhe mënyrën e ushtrimit të pushtetit, por evidenton edhe qëndrimin e Ramës, i cili i mohon këto akuza dhe i konsideron pjesë të një fushate kundër tij dhe Shqipërisë.