Skip to content
Bota

“Gaza ka trauma të konsiderueshme”, OBSH: Janë dëmtuar objektet shëndetësore

· 2 min lexim

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se  Gaza ka “nevoja të konsiderueshme traumatike”.

Zëdhënësja e OBSH, Margaret Harris tha se një total prej 8,538 njerëzish ishin plagosur në të gjithë Gaza-n gjatë dhunës dhe 30 objekte shëndetësore ishin dëmtuar – me një klinikë të shkatërruar plotësisht dhe një tjetër që kishte pësuar dëmtime të konsiderueshme. Ajo tha se dëmtimi i infrastrukturës po pengonte hyrjen e ambulancave.

Komentet në një konferencë të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë erdhën ndërsa punonjësit e ndihmës humanitare vlerësuan pasojat nga luftimet e fundit.

Një marrëveshje armëpushimi e arritur midis Izraelit dhe grupeve të armatosura palestineze në Rripin e Gazës filloi në orët e para të mëgjesit të së premtes.

Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Egjipti hyri në fuqi pas 11 ditësh bombardimesh të pamëshirshme izraelite të enklavës së rrethuar dhe mijëra raketave të lëshuara në Izrael nga Hamasi, grupi që sundon Rripin e Gazës.

Mijëra palestinezë në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor të okupuar dolën në rrugë për të festuar armëpushimin, duke tundur flamuj palestinezë për të treguar fitoren.

Bombardimi i Izraelit ndaj Gazës vrau të paktën 243 Palestinezë, përfshirë 66 fëmijë dhe solli shkatërrim të gjerë në territorin tashmë të varfëruar. Nga pala izraelite, 12 persona, përfshirë dy fëmijë, u vranë.

Ditën e sotme ka pasur tensione në Jeruzalemin Lindor të okupuar, ku policia izraelite sulmoi kompleksin e Xhamisë Al-Aqsa dhe gjuajti me gaz lotsjellës palestinezët pas lutjeve të së premtes, pavarësisht armëpushimit.