Fotot e Ergys Agasit nga brenda Policisë, pezullohen dy efektivë

Dy punonjës të Policisë së Tiranës janë pezulluar nga detyra pas publikimit të fotografive të Ergys Agasit të realizuara brenda ambienteve të Policisë, ndërsa hetimi nuk ka përcaktuar ende se kush i bëri dhe kush i nxori pamjet jashtë institucionit.
Në një përgjigje zyrtare për Top Channel, Policia e Shtetit konfirmon se ndaj dy efektivëve ka nisur hetim disiplinor për “shkelje të rëndë”, pas verifikimeve të kryera lidhur me nxjerrjen dhe publikimin e fotografive të Agasit.
Policia sqaron ndërkohë se pamjet e realizuara në momentin e arrestimit të Ergys Agasit dhe jashtë ambienteve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë janë bërë nga kalimtarë dhe jo nga strukturat policore.
Situata mbetet ende e pasqaruar për fotografitë e realizuara brenda ambienteve të Policisë. Hetimi vijon për të përcaktuar se kush i realizoi pamjet, kush i nxori ato jashtë institucionit dhe cili ka qenë konkretisht roli i dy efektivëve tashmë të pezulluar.
Vetë Policia përcakton se materialet e përfituara për shkak të detyrës dhe që nuk janë të autorizuara për publikim sjellin përgjegjësi kur rezulton se janë nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme.
Pezullimi i dy punonjësve të Policisë është masa e parë e marrë deri tani, ndërsa përfundimi i hetimit pritet të përcaktojë përgjegjësitë dhe të zbardhë se kush qëndron pas realizimit dhe nxjerrjes së fotografive të Ergys Agasit nga ambientet e brendshme të Policisë.