Skip to content
Të Gjitha

FOTO/ Ndahet nga jeta, poeti dhe shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Faslli Haliti

· 2 min lexim

Poeti, shkrimtari dhe piktori  i madh shqiptar Faslli Haliti, ka ndërruar jetë sot në moshën 85-vjeçare.

I përndjekur nga regjimi komunist, ish-deputet dhe nderi i qarkut Fier dhe qytetar nderi i Lushnjës, Faslli Haliti, është autor i mbi 20 librave, kryesisht me poezi.

Një humbje e madhe kjo për botën e letrave shqipe, pasi Haliti, konsiderohej një ndër penat më të rëndësishme të letërsisë sonë.

Faslli Haliti ka lindur në Lushnjë, më 5 dhjetor 1935.

Ka mbaruar Liceun Artistik për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973.

Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën “Dielli” dhe “Rrëkerat”, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë, por edhe në Komunale.

Gjatë gjithë kësaj periudhe “konvaleshence ideologjike” iu hoq e drejta e botimit. Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Që nga viti 1969 është anëtar i LSHASH. Është nderuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht.

Është dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhërin ‘Naim Frashëri’ i Artë. Është “Qytetar Nderi” i qytetit të Lushnjës, si dhe “Nderi i Qarkut” Fier.

Ka fituar çmimin e madh “Poeti më i mirë i vitit” më 2017-ën, dhënë nga Fondacioni Kulturor “Harpa”. Është autor i mbi 20 librave, kryesisht me poezi.

foto galeri

FOTO/ Ndërron jetë, poeti dhe shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Faslli Haliti

Image

/GazetaReforma.com/