Skip to content
Të Gjitha

EULEX vazhdon kontrollin në shtëpitë e komandantëve të UÇK-së

· 2 min lexim

Hetues të Prokurorisë së Specializuar kanë kontrolluar shtëpinë e Rexhep Selimit një ditë pasi ai u nis për në Hagë.

Mungesa e Rexhep Selimit nuk i ka penguar  hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të kryejnë bastisje brenda shtëpisë. Shefi i grupit parlamentar të LVV, Rexhep Selimi një ditë më parë është transferuar për në Hagë, pasi që po ndiqet penalisht për krime lufte. Kjo bastisje filloi  qysh në orët e para të mëngjesit.

Fillimisht aty janë parë dy vetura të EULEX-it, të cilat po i përdorin hetuesit e Zyrës së Prokurorit. Disa prej tyre po qëndronin në veturë, ndërkaq të tjerët brenda shtëpisë. Aksioni u asistua edhe nga Policia e Kosovës.

Brenda shtëpisë, nuk shiheshin lëvizje të familjarëve Selimi. E as para shtëpisë nuk u pa interesimi i bashkë partiakëve të tij.

Pas disa orëve, aty u shtua  edhe prezenca e zyrtarëve ndërkombëtarë. Fillimisht këta u ndalën për të biseduar me njëri tjetrin, e pastaj filluan të hyjnë brenda shtëpisë. Disa prej tyre po  mbanin ne duar pako të ndryshme.

Afër shtëpisë, Policia e Kosovës po kujdesej që askush të mos afrohej. E gjithë kjo situatë i ka shqetësuar fqinjët e familjes Selimi. Ata thonë se bastisjet e tilla janë të papranueshme.

Bastisja tek shtëpia e drejtuesit të UCK-së, Rexhep Selimi, vazhdoi kështu deri në orët e vona. Ndërkohë, Selimi gjatë javës tjetër pritet që të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Speciale.

/GazetaReforma.com/