Skip to content
Bota

Elon Musk dhe Tesla tërhiqen pas, nuk pranojnë më blerje me Bitcoin!

· 2 min lexim

Kompania amerikane Tesla ka njoftuar se nuk do të pranojë më kryerje të pagesave me kriptovalutën Bitcoin, duke e arsyetuar këtë vendim me çështje të ambientit.

Tesla është e shqetësuar për rritje të përdorimit të lëndëve djegëse për transaksione me Bitcoin, sidomos të thëngjillit, ka thënë shefi i kësaj kompanie Elon Musk.

Çmimi i kriptovalutës Bitcoin ka rënë menjëherë për mijëra dollarë, pas njoftimit të kompanisë.

Më saktësisht vlera e Bitcoinit ka rënë në 48,000 dollarë – më shumë se 15 për qind më e ulët sesa një ditë më parë.

Përveç kësaj kriptovalute, edhe monedha digjitale të ngjashme si Ether, Dogecoin, Binance Coin dhe Ripple janë përballur me rënie të ngjashme.

Megjithatë, Musk e ka bërë të qartë se vazhdon të përkrahë këtë industri.

“Kriptovaluta është ide e mirë në shumë nivele dhe ne besojmë se ka të ardhme premtuese, mirëpo nuk mund të ndodhë diçka e tillë duke i shkaktuar dëm të madh ambientit”, ka thënë Musk përmes një postimi në Twitter.

Tesla ka nisur të pranojë Bitcoin për blerje të makinave elektrike në muajin mars dhe disa transaksione u kryen.

Bitcoin është kritikuar prej shumë kohësh tashmë, nga ambientalistët për konsumim të madh të energjisë për prodhim të valutave përmes proceseve kompjuterike./REL