E frikshme në Koman/ Dy skafe me shpejtësi përplasen në kthesë, disa të plagosur transportohen me varka drejt spitalit

Një aksident i rëndë me mjete lundruese është regjistruar në Liqenin e Komanit, ku dy skafe janë përplasur me njëri-tjetrin, duke lënë disa persona të plagosur. Shkak i aksidentit dyshohet se ka qenë shpejtësia e madhe me të cilën po lëviznin mjetet, ndërsa përplasja ka ndodhur në një kthesë me fushëpamje të kufizuar.
Nga përplasja kanë mbetur të lënduar disa persona, të cilët po transportohen drejt Spitalit të Shkodrës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Transportimi i tyre paraqitet i vështirë për shkak të distancës dhe terrenit të zonës ku ka ndodhur aksidenti. Për këtë arsye, në ndihmë të të plagosurve kanë dalë banorë të zonës, si dhe persona të tjerë me varka, të cilët po kontribuojnë në nxjerrjen dhe transportimin e tyre drejt pikave nga ku mund të vijojë dërgimi për në spital.
Pavarësisht përplasjes dhe numrit të personave të lënduar, informacionet e deritanishme bëjnë me dije se gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
Operacioni për transportimin e të plagosurve vijon. Rrethanat e plota dhe dinamika e aksidentit pritet të sqarohen, ndërsa dyshimet e para përqendrohen te shpejtësia e madhe e dy mjeteve lundruese në një kthesë me shikueshmëri të kufizuar.