E aksidentoi babai me makinë në Ksamil, familja hap dyert e mortit: nesër lamtumira e fundit për Aylën 3-vjeçare

Një tragjedi e rëndë ka pllakosur familjen Marku në Lezhë, e cila humbi vajzën e saj vetëm 3 vjeçe në një aksident të tmerrshëm në Ksamil. Ayla u shtyp aksidentalisht nga makina që drejtonte babai i saj, teksa ky i fundit po kryente një manovër parkimi.
Vogëlushja nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe humbi jetën në vendngjarje, ndërsa familja tashmë përgatitet për momentin më të dhimbshëm, lamtumirën e fundit për vajzën e vetme të çiftit Ergys dhe Anxhela Marku.
Ceremonia mortore do të zhvillohet nesër, në orën 10:00, në varrezat e qytetit të Lezhës, në Grykë-Zezë. Familjarë, të afërm dhe njerëz të njohur do të përcjellin Aylën për në banesën e fundit, pas tragjedisë që brenda pak çastesh i mori jetën.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:30 në një parkim privat pranë plazhit në Ksamil. Sipas Policisë, babai i së miturës, i identifikuar si Ergys Marku, po kryente një manovër parkimi me automjetin tip “Audi”, kur dyshohet se goditi aksidentalisht vajzën e tij.
Përplasja ishte fatale. Ayla humbi jetën në vendngjarje, ndërsa ajo që duhej të ishte një ditë vere pranë detit përfundoi në një tragjedi të rëndë për familjen Marku.
“Rreth orës 11:30, në një parkim privat, pranë plazhit në Ksamil, shtetasi E. M., duke kryer manovrën e parkimit me automjetin tip “Audi”, dyshohet se ka goditur aksidentalisht vajzën e tij, 4 vjeçe. Si pasojë e përplasjes, e mitura ka humbur jetën në vendngjarje. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet e nevojshme hetimore për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi Policia.
Në njoftimin zyrtar, Policia e referoi të miturën si 4 vjeçe, ndërsa sipas të dhënave të familjes, Ayla ishte 3 vjeçe.
Tragjedia ka zhytur në zi familjen Marku, e cila prej vitesh jeton në Lezhë. Nesër, në orën 10:00, prindërit do t’i japin lamtumirën e fundit vajzës së tyre të vetme, jeta e së cilës u ndërpre tragjikisht nga aksidenti në Ksamil.