Dosja “Partizani” / Caktohet gjyqtarja e çështjes, zbardhen emrat e dy anëtarëve të tjerë të trupës gjykuese

Trupa gjykuese që do të shqyrtojë dosjen “Partizani” është përzgjedhur përmes shortit elektronik, me Elsa Ullirin në krye të trupës dhe dy gjyqtarët Bib Ndreca e Rudina Palloj si anëtarë.
Nga shorti u përjashtuan gjyqtaret Flojera Davidhi dhe Irena Gjoka. Ishte pikërisht Davidhi ajo që më 30 maj dorëzoi vendimin e zbardhur të seancës paraprake, duke i hapur rrugë gjykimit të çështjes pas një periudhe shtatëmujore zvarritjesh procedurale.
Në këtë dosje të bujshme janë të pandehur kryetari i PD-së Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, të akuzuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, si dhe dy biznesmenë e një notere.
Berisha, i cili më 27 nëntor 2024 doli nga arresti shtëpiak pas një viti, ka cilësuar vendimin për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” si një “krim kushtetues”, duke akuzuar prokurorët e SPAK se po kërkojnë masa ndaj tij për shkak të qëndrimeve të tij kritike ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe gjykatës.