Skip to content
Të Gjitha

Do të operohet në Itali, Gjykata e Durrësit liron nga “burgu” pronarin e hotel “Tropikal” ku vdiqën dy vëllezërit kosovarë gjatë tërmetit të 26-nëntorit

· 2 min lexim

Gjykata e Durrësit ka liruar nga masa “arrest shtëpie”, një ndër biznesmenët e arrestuar nga prokuroria e Durrësit, pas shembjes së godinave nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Sipas shqiptarja.com mësohet se arsyeja e lirimit të biznesmenit Avdullah Osmani i cili zotëronte hotel Tropikal, është një ndërhyrje kirurgjikale që do të kryejë në Itali, pasi nga shembja e hotelit të tij mbeti i plagosur vetë Avdullahi dhe bashkëshortja e tij.

Kujtojmë se 8 muaj më parë Gjykata e Durrësit dha masën “arrest me burg” për Avdulla Osmanin ndërtues informal i “Hotel Tropikal”, ku vdiqën dy vëllezërit kosovarë, Shemsedin Abazi dhe Isan Abazi, i akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese.

Gjithashtu asokohe Gjykata e Durrësit arrestoi edhe 8 persona të tjerë dhe 8 zyrtarë u shpallën në kërkim. Ndërkohë për shkak të gjëndjes jo të mirë shëndetësore, gjykata e Durrësit vendosi në fillim të vitit 2020 të zbusë masën e sigurisë për Osmanin nga “arrest në burg” në “arrest shtëpi”.

Ishin avokatët e Osmanit që depozituan kërkesën në gjykatë dhe tani për shkak të ndërhyrjes kirurgjikale nga masa arrest shtëpie, gjykara i dha masën “detyrim paraqitje” një herë në muaj para oficerit të policisë.