Skip to content
Kryesore

Dhunuan kamerierin 18-vjeçar pasi kërkoi pagën, Gjykata e Durrësit lë në burg dy të arrestuarit

· 2 min lexim

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 45-ditor për Florian Habilajn dhe Enold Dragotin, të akuzuar për dhunimin e kamerierit 18-vjeçar Genti Nela në Mal të Robit, Golem.

Habilaj, një prej pronarëve të hotelit ku punonte i riu, dhe Dragoti u arrestuan nga Policia e Kavajës, ndërsa Prokuroria i akuzon për “plagosje të rëndë me dashje”.

Ngjarja dyshohet se nisi pas një konflikti për pagën. Sipas të dhënave, 18-vjeçari kërkoi pagesën për punën e kryer në hotel dhe më pas u dhunua. Për të njëjtën ngjarje, Arbër Habilaj, 36 vjeç, është shpallur në kërkim. Pas dhunës, Genti Nela u dërgua në Spitalin e Kavajës për ndihmë mjekësore.

Ngjarja mori një tjetër kthesë kur xhaxhai i 18-vjeçarit, Melison Nela, u nis i armatosur drejt hotelit, me qëllim hakmarrjen ndaj personave që kishin dhunuar nipin e tij.

Policia e ndaloi pranë hotelit dhe gjatë kontrollit në automjet i gjeti në një çantë një kallashnikov, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të ngjarjes.

Në orën 12:30 pritet të zhvillohet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Melison Nelës.