Skip to content
Kryesore

Dhunohet gazetari Elton Qyno, në kërkim bashkëshortja e Florenc Çapjas

· 2 min lexim

Gazetari investigativ Elton Qyno ka denoncuar se është sulmuar fizikisht dhe është kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme, duke deklaruar se ngjarja lidhet me grupin kriminal të Çapjave në Elbasan, një prej grupeve që është goditur nga SPAK.

Sipas denoncimit të tij, sulmi ka ndodhur një ditë më parë pranë Spitalit Amerikan 3, ku ai pretendon se është goditur në befasi nga bashkëshortja e Florenc Çapjas, i dënuar me burgim të përjetshëm.

Sipas të dhënave të bëra publike, gruaja fillimisht e ka goditur gazetarin me telefon celular dhe më pas me çantë dhe sende të tjera që kishte me vete. Pas incidentit, Qyno ka depozituar kallëzim penal në polici.

Pas administrimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, policia ka shpallur në kërkim bashkëshorten e Florenc Çapjas si autore të dyshuar të sulmit.

Gazetari ka deklaruar gjithashtu se përpara ngjarjes kishte marrë vazhdimisht mesazhe kërcënuese nga persona që, sipas tij, janë të lidhur me grupin Çapja.

Elton Qyno ka publikuar ndër vite materiale investigative mbi veprimtarinë e grupeve kriminale në Elbasan, përfshirë edhe grupin e Çapjave. Ai është përfshirë më herët edhe në procese gjyqësore me SPAK, pasi ishte hetuar në kuadër të një dosjeje që lidhej me grupin e Suel Çelës.

Megjithatë, sipas vendimeve të Gjykatës së Apelit të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë, pretendimet se ai ishte i përfshirë në veprimtari kriminale apo se kishte fshirë lajme kundrejt pagesës nuk u provuan dhe u konstatua se nuk kishte kryer vepër penale.

Në një tjetër çështje, edhe Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimet për sekuestrimin e telefonave dhe sendeve personale të gazetarit, të marra pas publikimeve të tij mbi komunikimet në aplikacionin Sky ECC mes personave të dyshuar të botës së krimit.