Defekt i rëndë në linjën kryesore të UKT-së, disa zona të Tiranës pa ujë

Një defekt i rëndë në një prej linjave të transmetimit të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës ka shkaktuar ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë në disa zona të kryeqytetit.
UKT njofton se problemi është shfaqur në linjën e transmetimit DN 1100 mm prej çeliku, e cila furnizon depot perëndimore të qytetit të Tiranës.
Për shkak të defektit, ndërprerje të furnizimit me ujë do të ketë në zonat: Selitë, Kodra e Diellit, Astir, Yzberisht, Pallatet Çabej, Kodër Kamëz dhe Fusha Misto Mame.
“Ekipet e UKT janë në terren dhe po punojnë për riparimin e defektit”, njoftoi Ujësjellës-Kanalizime Tiranë.
UKT nuk ka bërë të ditur se sa pritet të zgjasin punimet dhe kur do të rikthehet normalisht furnizimi me ujë në zonat e prekura.