Skip to content
Aktualitet

Dallgët e mëdha përmbysin mjetin lundrues, 35-vjeçari rrezikon mbytjen në Shëngjin, shpëtohet në kohë

· 2 min lexim

Një tragjedi është shmangur ditën e sotme në grykëderdhjen e lumit Buna. Një 35-vjeçar rrezikoi të mbytej në det, pasi kishte dalë bashkë me familjen me nje mjet të vpgël lundrues, dhe si pasojë e dallgëve mjeti u fundos. Mjeti lundrues ishte nisur nga Shëngjini për në grykëderdhjen e lumit Buna dhe familjarët arritën të zbresin, ndërsa 35-vjeçarin e tërhoqën dallgët. Ndërhyrja në kohë e Policisë Kufitare bëri të mundur shpëtimin e 35-vjeçarit, i cili tashmë ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë Shëngjin:

Policia Kufitare Shëngjin në bashkëpunim me Policinë Kufitare Shkodër shpëtojnë një 35-vjeçar që rrezikoi të mbytej në det, i cili kishte dalë  bashkë me familjen në një mjet të vogël lundrues, ku si pasojë e dallgëve të mëdha mjeti u fundos. Shërbimet e Policisë kufitare Shëngjin kanë marrë një telefonatë se një mjet lundrues ka dalë në det dhe si pasojë e dallgëve të mëdha  personat që ishin në bord rrezikonin të mbyteshin në grykëderdhjen e lumit Buna.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë dalë me mjetin lundrues të Policisë menjëherë në drejtim të adresës së dhënë dhe kanë njoftuar edhe sherbimet e Policisë Kufitare Shkodër. Si rezultat i operacionit të përbashkët të Policisë Kufitare u bë e mundur të shpëtohet shtetasi: D.P., 35 vjeç. Mjeti lundrues ishte nisur nga Shëngjini për në grykëderdhjen e lumit Buna, ku familjarët kanë mundur të zbrisnin nga mjeti lundrues, ndërsa shtetasi D.P., nuk ka arritur të zbresë, pasi e kanë tërhequr dallgët duke e përmbysur dhe fundosur mjetin e tij lundrues. Ndërhyrja në kohë e Policisë Kufitare, bëri të mundur shpëtimin e shtetasit D.P., i cili është dërguar në spitalin Rajonal Shkodër dhe ndodhet nën kujdesin mjekësor, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa familjarët janë dërguar në  banesën e tyre në Shëngjin.