Skip to content
Kryesore

Borxhi ndaj Becchettit fundos Albcontrol, qeveria çregjistron shoqërinë publike

· 2 min lexim

Albcontrol sh.a., shoqëria publike që menaxhonte hapësirën ajrore të Shqipërisë, është çregjistruar zyrtarisht, ndërsa mbi 193 milionë euro të ardhura të saj vijojnë të mbeten të bllokuara në Bruksel për shkak të çështjes Becchetti.

Dy javë më parë, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në cilësinë e aksionerit të vetëm, miratoi prishjen e Albcontrol sh.a. pa kaluar në likuidim. Të gjitha të drejtat dhe detyrimet e shoqërisë do t’i kalojnë Entit Publik Albcontrol, i cili do të funksionojë si ent jobuxhetor.

“Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit vendosi prishjen pa kaluar në likuidim të shoqërisë Albcontrol sh.a., në zbatim të nenit 21 të ligjit ‘Për Ofruesin e Shërbimeve të Lundrimit Ajror Albcontrol’”, thuhet në vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të Aksionarit.

Shndërrimi i Albcontrol nga shoqëri aksionere në ent publik u miratua me ligj të posaçëm dy vite më parë, në një përpjekje të qeverisë shqiptare për të mbrojtur të ardhurat e saj nga ekzekutimi i vendimit në favor të biznesmenit italian Francesco Becchetti.

Megjithatë, kjo lëvizje nuk arriti të zhbllokonte fondet. Sipas bilancit zyrtar të Albcontrol, deri në fund të vitit të kaluar në llogaritë e Eurocontrol në Bruksel ishin bllokuar 18.3 miliardë lekë, ose mbi 193 milionë euro.

Një pjesë e këtyre parave është konfiskuar përfundimisht në favor të Becchettit, ndërsa pjesa tjetër vazhdon të mbetet e ngrirë. Edhe pse shuma e bllokuar tashmë e ka kaluar vlerën e detyrimit, shteti shqiptar nuk mund të tërheqë asnjë qindarkë.

Bllokimi i të ardhurave të Albcontrol detyroi qeverinë të ndërhynte me para publike për të garantuar funksionimin e hapësirës ajrore dhe vijimin normal të fluturimeve në Shqipëri.

Fillimisht Albcontrol u mbajt në këmbë përmes huave nga Ministria e Financave dhe kompani të tjera shtetërore. Në fillim të këtij viti, Këshilli i Ministrave detyroi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë t’i kalonte Albcontrol 7 miliardë lekë, jo si hua, por si injektim kapitali.

Në këtë mënyrë, barra financiare e borxhit ndaj Becchettit po përballohet drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë, ndërsa miliona euro të krijuara nga hapësira ajrore e vendit vijojnë të mbeten të bllokuara në Bruksel.