Skip to content
Kosovë

Bizneset në Kosovë bllokojnë hyrjet e Prishtinës me kamionë në shenjë proteste

· 2 min lexim

Bizneset në Kosovë zhvilluan këtë të enjte një protestë në Prishtinë, duke bllokuar hyrjet kryesore të kryeqytetit me automjete të rënda dhe kamionë.

Aksioni, i organizuar nga shoqatat e biznesit dhe Oda Ekonomike e Kosovës, shprehu pakënaqësi ndaj kalimit të detyrueshëm në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Protesta nisi në orën 10:00 dhe do të zgjasë deri në orën 12:00, duke shkaktuar bllokime në disa nga pikat më të rëndësishme hyrëse të Prishtinës, përfshirë:

• Veternik (hyrja jugore e qytetit)
• Rrethi te Kazerma (korridori Fushë Kosovë – Prishtinë)
• Rrethi i Arbërisë (rruga Mitrovicë – Prishtinë)
• Sharbanët (Vranjevci) (rruga Podujevë – Prishtinë)

Përfaqësuesit e biznesit theksuan se kalimi në tregun e lirë të energjisë u vendos pa konsultime të mjaftueshme dhe në një kohë shumë të shkurtër, duke i ekspozuar ndaj kostove të paparashikuara dhe çmimeve të larta që mund të dëmtojnë aktivitetin ekonomik dhe të ndikojnë në rritjen e çmimeve për konsumatorët.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, njoftoi se kjo protestë është vetëm hapi i parë në një seri veprimesh për të mbrojtur interesat e biznesit dhe qytetarëve.

Ai apeloi për mirëkuptim dhe paralajmëroi përshkallëzimin e protestave nëse institucionet nuk reflektojnë.

Shoqatat e biznesit kërkojnë pezullimin e përkohshëm të kalimit në tregun e lirë të energjisë dhe shtyrjen e tij, për t’i dhënë kompanive kohë të përshtaten me ndryshimet e reja në furnizim.