Skip to content
Kryesore

“Balluku rrezikon deri në 36 vite burg”/ Poli Hoxha: Ka ardhur koha që Rama të thirret në SPAK

· 2 min lexim

Gazetari Poli Hoxha ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë, duke u ndalur te dosja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe te ajo që ai e konsideron si përfshirje të mundshme të kryeministrit Edi Rama në çështjet nën hetim.

I ftuar në studion e News24, Hoxha deklaroi se akuza fillestare për pabarazi në tendera ishte vetëm “maja e ajsbergut”, ndërsa hetimet, sipas tij, synojnë të zbërthejnë të gjithë atë që ai e cilësoi si një “rrjetë merimange”.

Sipas gazetarit, përveç akuzave të tjera që lidhen me lotet e rrugëve, SPAK e ka zgjeruar hetimin edhe në drejtim të korrupsionit, pastrimit të parave dhe organizatës kriminale. Hoxha pretendoi se, nëse merren së bashku akuzat e ngritura nga prokurorët e posaçëm, dënimi i mundshëm për Ballukun mund të arrijë deri në 36 vite burg.

Hoxha u ndal gjithashtu te gjurmimi i parave, duke deklaruar se në dosje ka një numër të madh letër-porosish ndërkombëtare. Sipas tij, përmes tyre po hetohen lëvizjet financiare dhe mënyra se si paratë e dyshuara si të përfituara në mënyrë të paligjshme mund të jenë tjetërsuar në prona apo transferuar në llogari bankare jashtë Shqipërisë.

Gazetari ngriti më tej edhe çështjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas Hoxhës, linjat e disa prej hetimeve të zhvilluara çojnë te kreu i qeverisë, ndërsa emri i tij, siç pretendoi ai, shfaqet në një numër dokumentesh të dosjeve.

Në këtë kontekst, Hoxha deklaroi se ka ardhur koha që Rama të thirret zyrtarisht nga SPAK për të dhënë shpjegime. Sipas tij, kjo duhet të ndodhë pavarësisht rezistencës apo përpjekjeve politike që ai pretendon se synojnë të pengojnë dhe bllokojnë procedurat e drejtësisë.