Skip to content
Të Gjitha

Babë e bir mbjellin kanabis në Shëngjergj, arrestohet 55-vjeçari

· 2 min lexim

Policia e Tiranës, ditën e sotme ka arrestuar një 55-vjeçar, ndërsa djali i tij është shpallur në kërkim. Babë e bir akuzohen se kanë kultivuar lëndë narkotike në zonën e Shëngjergjit në Tiranë.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e policisë në brendësi të pyllit të fshatit Fag, janë konstatuar të mbjella fidanë kanabis.

Si rezultat i punës hetimore dhe provave ligjore të sekuestruara në vendin e ngjarjes, dyshohet se babë e bir janë autorë të kësaj vepre penale.

55-vjeçari ka qenë edhe më parë i dënuar për kultivim të lëndëve narkotike.

Njoftimi i Policisë

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, si rezultat i kontrollit të territorit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 , kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit N. A. 55 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Fag, të Njësisë Administrative Shëngjergj, i dënuar më parë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Gjithashtu kanë shpallur në kërkim djalin e tij, shtetasin E.A. Arrestimi i këtij shtetasi dhe shpallja në kërkim e djalit të tij u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e policisë për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, në brendësi të pyllit të fshatit Fag, janë konstatuar të mbjella fidanë kanabis.

Si rezultat i punës hetimore dhe provave ligjore të sekuestruara në vendin e ngjarjes, dyshohet se babë e bir janë autorë të kësaj vepre penale.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 65 fishekë.

Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” e kryer ne bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”.