Arrestohen katër persona në Lezhë për kultivim kanabisi, mes tyre dhe një femër

Janë goditur katër raste të tentativës për kultivim të Kanabisit në Lezhë. Policia ka arrestuar katër shtetas, mes tyre dhe një femër.
Njoftimi i Policisë:
Kurbin, Lezhë – Vijojnë kontrollet e shtuara në territor, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë kontrolleve, nga shërbimet e Policisë Kurbin janë evidentuar dhe goditur 4 raste të tentativës për kultivim të kanabisit.
Arrestohen në flagrancë 4 shtetasit që ushtronin këtë veprimtari kriminale.
Shërbimet e Policisë Kurbin, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, kanë evidentuar dhe goditur 4 raste të tentativës për kultivim të kanabisit, në Fushë Milot, Kurbin.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasit: I. H., H. K., H. B. dhe shtetasen M. K., të gjithë banues në Fushë Milot, Kurbin.
Arrestimi i tyre u bë pasi janë kapur në kushtet e flagrancës, duke tentuar të kultivojnë bimë narkotike cannabis sativa në pjesën e pasme të banesave, në tokat në pronësi të tyre, në fshatin Fushë Milot, Kurbin.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.