Skip to content
Të Gjitha

Akuzohet për vrasjen e Santiago Malkos, gjykata jep masën e sigurisë për Ilir Selmanin

· 3 min lexim

Gjykata ka vendosur të lërë në burg Ilir Selmanin ,një nga personat e akuzuar për vrasjen e ish-policit, Santiago Malko, më 27 gusht të viti të kaluar në zonën e “Xhamllikut në Tiranë.

Mësohet se Selmani ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen përpara togave të zeza, ndërsa nuk ka dhënë as shpjegime.

Sipas “Balkanweb”, Selmani u ka thënë hetuesve se nuk e njeh Santiago Malkon, por e ka parë vetëm në televizor.

Ndërsa përsa i përket lidhjes me Leonard Dukën, ai është shprehur se e ka mik, por nuk e ka takuar prej disa muajsh.

“Me Leonard Dukën kam lidhje miqësie shume vjecare. Nuk e kam takuar prej shumë muajsh dhe nuk kam informacion për vrasjen e Santiago Malkos. Nuk e njoh fare, e kam parë vetëm në televizor që flitej për të. Prej muajsh kam qëndruar i fshehur dhe rrallë kur dilja levizja i armatosur, sepse më rrezikohet jeta nga kundershtarët e mi dhe të Leonardit. Më kanë thënë se Ervis Martini do të më heqë qafe”, mësohet të ketë thënë Selmani para policëve.

Ilir Selmani u arrestua dy ditë më parë në zonën e “Xhamllikut”, pas 8 muajve që ishte shpallur në kërkim.

Arrestimi i Selmanit u bë i mundur edhe nga monitorimi i lëvizjeve të bashkëshortes së tij, e cila shkonte dhe e takonte.

Selmani dyshohet se është pjesë e klanit Duka, i cili sipas Prokurorisë përgatiti dhe ekzekutoi planin për eliminimin e Malkos.

Sipas të dhënave në dosjen hetimore, Selmani, ka kthyer makinën në momentin që e ka udhëzuar Leonard Duka, pasi ky i fundit kishte arritur ta identifikonte dhe lokalizonte objektivin.

Ata u ndalën pikërisht në rrugën ‘Xhanfize Keko’ ku u qëllua pak minuta më vonë edhe Santiago Malko.

Santiago Malko

Një tjetër e provë e dyshimtë janë edhe pamjet e publikuara nga disa media, ku Ilir Selmani shfaqet duke mbledhur bishtat e cigareve që kishte hedhur në tokë Blendi Teta, njeriu që mendohet se survejoi lëvizjet e ish-policit Santiago Malko.

Kujtojmë këtu, se ish- polici Santiago Malko, ishte pjesë e bandës së Ervis Martinajt, rivalë të përbetuar të klanit Duka.

Malko ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale, siç është përleshja me armë në ish-bllok më 4 tetor 2018, ku u vra Fabian Gaxha, apo edhe sherri me dy vëllezërit Lashi në vitin 2016 për një borxh prej 1 mijë eurosh.

Për vrasjen e Malkos u shpallën në kërkim 8 persona, të njohur ndryshe si pjesë e klanit “Duka”: Leonard Duka;  Erlis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loga,  Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica.