Skip to content
Kryesore

Akuzohet për një sërë veprash penale, SPAK nis hetimet për drejtorin e Tatimeve

· 1 min lexim

Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar sot se ka nisur hetimet për kreun e Tatimeve, Ceno Klosi pas dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike. Ai akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsikim i dokumentave” dhe “Mashtrim”.

“Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi””, njoftoi Prokuroria.

SPAK shprehet se 7 muaj pas kallëzimit të parë, opozita ka depozituar një tjetër kallëzim ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.

“Për të njëjtin fakt Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.83/2023 datë 03.07.2023, mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar gjithashtu nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, njofton SPAK.

SPAK ka vendosur bashkimin e dy procedimeve në një të vetëm.