Skip to content
Të Gjitha

Akt-ekspertimi i “Miramare” i falsifikuar, eksperti kishte ndërruar jetë 5 vite përpara legalizimit

· 2 min lexim

Një nga hotelet i cili u shemb gjatë tërmetit të 26 nëntorit ishte edhe “Miramare” , i cili ndodhet në lagjen 13 në Durrës.

Pronari i hotelit, Rruzhdi Xheka, u arrestua nga policia vetëm pak ditë më parë.

Sipas “Balkanweb”, rezulton se akt-ekspertimi i hotelit ka qenë i falsifikuar.

Kjo për shkak se eksperti kishte ndërruar jetë 5 vite para se të bëhej legalizimi.

Në rrënojat e këtij hoteli ndërruan jetë shtetasit, Sotiraq Misha dhe Evjola Broshka.

Hetimet konstatuan se shkak për shembjen e hotelit ishte dëmtimi i strukturës së objektit, i cili kishte shkelur edhe lejen e ndërtimit.

Rezulton se Xheka nuk ka respetuar normat ligjore, përsa i përket studimit, projekimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit të objektit.

Megjithëse legalizimi është kryer në vitin 2018, personi që ka harutuar akt-ekspertimin kishte ndërruar jetë 5 vite më parë.

Në këto kushte, Xheka ka konsumuar veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese.

Gjithashtu, Arben Isaku, në cilësinë e drejtorit të ALUIZNI-t, ka legalizuar objektin, pa u plotësuar më parë kushtet tekniko-ligjore.

Kësisoj ai ka konsumuar veprë penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Gjithashtu leja e ndërtimit për këtë objekt është dhënë për dy kate, ndërsa pronari ka shtuar edhe 4 të tjerë pa leje.

Deri më tani Prokuroria e Durresit ka lëshuar 17 urdhër-arreste, ku 9 prej tyre janë ekzekutuar, ndërsa 8 persona vijojnë të jenë ende në kërkim.