31 vatra zjarri në 24 orë, tre ende aktive! Dajti mbetet problematik

Situata e zjarreve vijon të mbajë të angazhuara strukturat e Mbrojtjes Civile në disa zona të vendit. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 31 vatra zjarri, nga të cilat 3 mbeten aktive, ndërsa 6 të tjera janë nën mbikëqyrje.
Për menaxhimin e situatës janë angazhuar 370 forca operacionale dhe 22 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 70 efektivë, një automjet zjarrfikës, një ekskavator të rëndë me zinxhir dhe tre helikopterë.
Aktualisht, vatrat aktive ndodhen në Malin e Dajtit, Ballenjë dhe Qafën e Helmës.
Në Malin e Dajtit, gjatë ditës së djeshme u angazhuan 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 30 zjarrfikës. Për shkak të terrenit të vështirë u aktivizua edhe një helikopter i FA-së. Operacioni vijon sot me 20 efektivë të FA-së, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Ballenjë të Dibrës, zjarri vijon të jetë aktiv në një terren të thepisur dhe shkëmbor. Në ndërhyrje janë angazhuar pesë forca të ADZM Dibër dhe nuk paraqitet rrezik për banesat.
Edhe në Qafën e Helmës, në Bulqizë, vatra mbetet aktive dhe po monitorohet nga katër efektivë të MZSH Bulqizë. As në këtë zonë nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, situata është përmirësuar në Pukë. Në zonën e Tërbunit, Gojanit dhe Gjegjanit, gjatë ditës së djeshme u angazhuan 83 forca, të mbështetura nga 40 efektivë dhe një helikopter i FA-së. Zjarret në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë shuar plotësisht, ndërsa zonat vijojnë të mbahen nën monitorim.
Në qarqet e tjera, pjesa më e madhe e vatrave të raportuara janë shuar ose ndodhen nën mbikëqyrje. Sipas të dhënave të raportuara, asnjë nga tre vatrat që mbeten aktive nuk paraqet aktualisht rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.