Skip to content
Kosovë

26-vjet nga hyrja e NATO-s në Kosovë, Osmani: Historia e shkruar me gjak nuk fshihet me gënjeshtra

· 1 min lexim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 26-vjetorin e çlirimit të vendit me një mesazh të fortë në rrjetet sociale.

Ajo vlerëson se më 12 qershor 1999, në një Kosovë të shkrumbuar nga lufta, zbarkoi shpresa me hyrjen e 50 mijë trupave të NATO-s, të cilët, së bashku me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bënë të mundur kthimin e popullit në shtëpitë e tyre dhe realizimin e lirisë.

Osmani thekson se ajo ditë shënoi fundin e errësirës dhe fillimin e një epoke të re për popullin shqiptar, duke kthyer tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë.

“Një histori e shkruar me gjak nuk mund të fshihet nga gënjeshtrat e shkruara me laps”, shkruan ajo, duke nënvizuar përpjekjet e vazhdueshme të armiqve për të ndryshuar të kaluarën.

Në përfundim, Osmani deklaron se Kosova do të mbetet përgjithmonë e lirë dhe krenare, sepse përjetësinë ia kanë dhënë ata që dhanë jetën për të.