Transformimi i FSK në Ushtri të shtetit të Kosovës e ka tronditur jo pak Serbinë dhe në veçanti Presidentin Vuçiç.
Në një deklaratë për mediat Vuçiç ka thënë që është si gatshëm që si president të shkojë në Këshillin e Sigurimit dhe shpreson që “të mëdhenjtë” e botës që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk do t’ia shkurtojnë mundësinë një Serbie të vogël që të thotë faktet se si shkelet e drejta në Ballkanin Perëndimor dhe çfarë rreziqesh kanë prodhuar me vendimet e tyre.
“Çdo keqpërdorim i ushtrisë së tyre dhe hyrje atje ku hyrjen e kanë të ndaluar në pajtim me marrëveshjen që Serbia ka arritur me NATO-n, pra pa pajtimin e popullatës lokale, nuk ka hyrje të formacioneve të armatosura në veriun e Kosovës dhe nëse ju sulmojnë, Serbia do të ketë fuqi t’ju mbrojë”, tha ai.
Presidenti serb ritheksoi se nuk do të ketë bisedime derisa Kosova nuk tërheq tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, një vendim që qeveria e Kosovës e vendosi më 21 nëntor si kundërpërgjigje ndaj siç është thënë, fushatës agresive serbe ndaj shtetësisë së Kosovës.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.