Tashmë pas “stabilizimit” të tre vatrave të protestës para Ministrisë së Arsimit, “Zogut të Zi” dhe përballë kryeministrisë, studentët kanë folur rreth asaj çfarë do të ndodhë më pas.
Njëri nga studentët e vendosur përballë kryeministrisë ka thënë për News24: “ Ne kemi 7 ditë para ministrisë dhe nuk arritëm gjë, ndaj erdhëm përballë kryeministrisë. Edhe pse kryeministri po tallet duke thënë jemi kaq e jemi aq, ne jemi shumë më shumë. Ne thamë që do ta përshkallëzojmë protestën sot nëse nuk na plotësojnë kushtet dhe këtë jemi duke bërë, ndaj dhe sot do jemi mbi libra gjithë natën.”
Studentët kanë rënë dakord në të gjitha vendqëndrimet që do ta kalojnë natën aty duke lexuar libra dhe ftojnë të gjithë qytetarët që kanë dëshirë që t’I bashkohen, të vijnë me libra sepse kjo është arma e tyre.
“Kjo është një protest pa afat. Pa miratuar tetë pikat ne nuk e mbyllim më protestën”, ka thënë një student I ndodhur para kryeministrisë.
“Ne jemi rinia dhe jo ushtria. E gjithë bota po na mbështet. Do jemi këtu gjatë gjithë nates, nuk tërhiqemi. Presim nga kryeministri të mos na ofendojë”, shprehet një studente.