Në vitin e nëntë në pushtet, Partia Socialiste vazhdon të përdorë si mjet krahasimi për arritjet e veta, vitin 2013. I tillë është edhe ky kapërcim i Taulant Ballës, kur bie fjala për buxhetin.
“Shifrat janë kokëforta, dy herë më i madh se sa në vitin 2013, buxheti i vitit 2022”, deklaroi kreu i grupit të PS në Parlament.
Të ardhurat në buxhetin e vitin 2013, kur qeveria ‘Berisha’ la pushtetin ishin 2.9 miliardë euro dhe gradualisht ato janë rritur pas çdo viti.
Por, sapo mori mandatin e tretë, qeveria shpall nevojën për të marrë borxh në treg të huaj. Kërkesa është për 700 milionë euro.
Kjo nevojë lind, teksa borxhi publik ka arritur në nivelin 80% të PBB ose 11.6 miliardë euro. Në vitin 2013, stoku i borxhit ishte 7.2 miliardë euro.
E thënë ndryshe, një individi sot i është rritur ndjeshëm barra e borxhit që nga viti 2013. Një familje mesatare prej katër personash sot mbart 16,464 euro borxh, nga 9,976 që kishte 9 vjet më parë.
Edhe deficiti ka dalë jashtë pritshmërie, me vlera të dyfishuara nga viti 2013. Diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve sot është sa 5.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Kujtojmë se Kryeministri Edi Rama, para se të fitonte mandatin e parë qeverisës në 2013-n dhe më pas në 2017-n, premtoi uljen e borxhit publik poshtë nivelit 60%. Ky angazhim, sipas të dhënave të FMN ka rezultuar i dështuar, pasi borxhi publik në fund të vitit 2020, rezulton 83.20%. Faktoje ka verifikuar sesi kanë ndryshuar deklaratat e kryeministrit Rama dhe zotimet e pasqyruara në programin e qeverisjes së PS, lidhur me këtë çështje, që nga viti 2012 e deri më sot.